Lista përfundimtare, 3.164.859 votues

09/04/2011 19:55

Lista zyrtare e zgjedhëseve ka përfunduar. Në të janë të regjistruar 3.164.859 votues, të ndarë nëpër 4.932 qendra votimi.

Zevendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni tha se numri i votuesve në këtë listë është më i vogël se në listat paraprake.

“Lista përfundimtare ka 20 e ca mijë zgjedhës më pak nga paraprakja, sepse lista i është nënshtruar pastrimit të duplikimeve, heqjes së 100-vjecarëve dhe atyre që kanë lënë shtetësinë, duke e bërë një listë e standartit të lartë”, deklaroi Poni.

Sipas Ponit, kjo listë përfundimtare i është ndarë të gjitha KZAZ-ve me përjashtim të katër komunave të vogla. Sipas tij, 24 orë pas konfirmimit nga KZAZ, lista përfundimtare do të paraqitet online.

“Listat sapo të konfirmohen, në kuptimin zyrtar, nga kryetarët në variantin elektronik dhe me shkresë, jo më vonë se 24 orë do ngarkohen në internet. Ne jemi të angazhuar që në kuadër të marrëveshjes që partitë ranë dakord, t’u sigurojmë të gjithëve një akses maksimal”, theksoi Poni.

Opozita shpesh herë është ankuar për manipulim të listave zgjedhore dhe së fundimi edhe për vonesat në bërjen publike të tyre jashtë afateve ligjore.

Top Channel