Leku, një valë zhvlerësimi

09/04/2011 16:05

Leku ka filluar një tjetër valë zhvlerësimi ndaj euros duke arritur një nga pikat më të ulëta historike, që nga koha e hedhjes në qarkullim të monedhës europiane.

Në tregun e brendshëm valutor një euro këmbehet mesatarisht me mbi 141.5 lekë, kuotë që nuk ishte arritur as në kulmin e krizës së rëndë botërore të dy viteve më parë.

Tregtarët thonë se javën e fundit leku është zhvlerësuar thuajse cdo ditë ndaj euros. Shkaqet sipas tyre, por edhe ekspertëve të bankave, janë disa.

Filimisht kursi po diktohet nga zhvillimet në tregjet valutore ndërkombëtare. Arritja me vështirësi e marrëveshjes për buxhetin amerikan dhe rritja e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Europiane u përcollën menjëherë në tregjet valutore ndërkombëtare, ku euro arriti pikën më të lartë ndaj dollarit në 15 muajt e fundit, duke cekur gati nivelin 1 euro me 1.45 dollarë, lëvizje këto që po reflektohen edhe në tregun e brendshëm.

Por zhvlerësimi i lekut ndaj euros duket se këtë herë është i lidhur edhe me shkaqe të brendshme. Tregtarët thonë se kërkesa për euro aktualisht është më e madhe se sa oferta që mund të përballojë tregu shqiptar.

Ditët e fundit, sipas tyre, bankat po grumbullojnë euro, për t’ia shitur kompanive të huaja në Shqipëri, që në këtë peirudhë sezoni bëjnë mbylljen e bilanceve dhe transferimin e fitimeve jashtë.

Parashikimet për të ardhmen mbeten të paqarta. Ndonëse stabiliteti i monedhës për vite me radhë është konsideruar si një nga pikat më të forta të ekonomisë shqiptare në dy vitet e fundit, luhatjet e kursit të këmbimit euro-lek janë bërë më të shpeshta.

Pavarësisht lëvizjeve të momentit, tendenca finale e kursit euro-lek ka qenë ajo e zhvlerësimit të monedhës kombëtare, një situatë që prek qytetarët në shumë drejtime, qoftë në këstet e kredive, por edhe në cmimet e produkteve në treg, shumicën e të cilave Shqipëria e importon nga jashtë në mungesë të prodhimit vendas.

Top Channel