Topi nxit votuesit e rinj

08/04/2011 15:20

Presidenti Bamir Topi ka preferuar t’i dërgoj mesazhet e tij, në ditën e parë  të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit, nëpërmjet të rinjve që votojnë për here të parë.

Kreu i shtetit i ka rezervuar një pritje në Presidencë, për më shumë se 60 minuta, një grupi studentësh nga Departamenti i Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës, si dhe me studentë të universiteteve të tjera publike dhe private të vendit.

“Sot është një ditë e veçantë. Sot jeni zgjedhur pikërisht për të bërë një apel, pikërisht me studentët që votojnë për herë të parë. Është 8 prill, sipas rregullit kushtetues jemi në ditën e fillimit të fushatës zyrtarisht, fushatës elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor, pra, të pushtetit administrativ. Juve, sigurisht që, me kalimin e viteve, këtë ditë do ta memorizoni edhe në të ardhmen, sepse është momenti kur juve, me votën tuaj, do të ndikoni në ecurinë e proçeseve demokratike në Shqipëri”, theksoi Topi.

Pak më herët presidenti Topi mori pjesë edhe në ceremoninë e diplomimit pas përfundimit të projektit të OSBE-së për gratë në qeverisje.

“Rritja e pranisë së grave në vendimarrje kërkon edhe një reflektim pozitiv të vetë grave dhe strukturave të tyre përfaqësuese në partitë politike, në parlament dhe në forumet e tyre. Kur në vitin 2009 ne patëm një rritje të numrit të grave deputete, të gjithë pritëm e besuam në një rol të tyre aktiv në uljen e konfliktualiteti politik, rritjen e shanseve për dialog dhe krijimin e një klime më bashkëpunuese politike. Fatkeqësisht bilanci i deritanishëm ka qenë gati zhgënjyes. Nga tonet e deklarimeve, sjellja politike, retorika parlamentare apo nga konceptet e përfaqësimit, nuk kemi parë ende një diferencë pozitive midis përfaqësimit mashkullor dhe femëror parlamentar”, deklaroi Topi.

Kjo ceremoni nisi me fjalën e  Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, i cili e vuri theksin tek rëndësia e pjesëmarrjes së grave në proçeset zgjedhore dhe e rritjes së numrit të tyre në politikë, çka do të duhet të tregohet edhe tani në zgjedhjet e afërta lokale.

Top Channel