SHBA, “kaos” politik për buxhetin

08/04/2011 20:15

Republikanët dhe demokratët në SHBA japin arsye tërësisht të ndryshme për diferencat që po ndeshin në miratimin e buxhetit për vitin 2011-12, ndërsa të dyja palët duket se po negociojnë për të siguruar avantazhe të rëndësishme politike.

Një prej drejtuesve më të lartë të demokratëve, Harry Reid, deklaroi se të dyja palët kanë rënë dakord për shkurtime prej 38 miliardë dollarësh, por janë të ndarë në çëshje si financimi federal i abordeteve.

Nga ana tjetër, kryetari i Kongresit, John Boehner, tha se divergjencat kryesore lidhen me shumën e shkurtimeve në buxhet. Nëse një marrëveshje nuk realizohet, qeveria amerikane do të pezullohet sot në mesnatë (ora 6:00 e mëngjesit në Shqipëri).

Nëse kjo do të ndodhë, 800 mijë punonjës të administratës do të konsiderohen të pezulluar dhe nuk do të paguhen, subvencionet qeveritare do të ndërpriten dhe parqet kombëtare, së bashku me ambiente të tjera qeveritare do të mbyllen.

Në rast se një marrëveshje për buxhetin nuk do të gjendet, ushtria amerikane do të vazhdojë të funksionojë, por trupat nuk do të paguhen deri në zgjidhjen e situatës.

Boehner, një figurë e lartë në Partinë Republikane, deklaroi se qëllimi i tyre është të bllokojnë qeverinë, por të reduktojnë në mënyrë të arsyeshme shpenzimet.

Për herë të fundit, qeveria amerkane ka pushuar së funksionuari në vitin 1995, pas një përplasje midis republikanëve që kontrollonin Kongresin dhe Shtëpisë së Bardhë, të kontrolluar nga presidenti demokrat, Bill Clinton.

Kriza zgjati 20 ditë dhe sipas vlerësimeve, ajo i kushtoi ekonomisë një regres prej 1% në shifrat e rritjes tremujore.

Top Channel