
Presidenti i Republikës, Bamir Topi uroi zonjën Atifete Jahjaga, pas zgjedhjes se saj në krye të Kosoves, duke e quajtur këtë një moment historik.
“Në emrin tim dhe të gjithë popullit shqiptar, uroj që të keni sukses të plotë në detyrën tuaj të lartë për të përballuar të gjitha sfidat që ka Republika e Kosovës drejt rrugës së përbashkët të integrimit të plotë euro-atlantik”, thuhet në urimin e presidentit Topi.
Presidenti Topi shprehu bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, do të zhvillohen e intensifikohen më tej në të gjitha drejtimet, në të mirë të kombit tonë dhe paqes e stabilitetit në rajon.
Edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha uroi Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga duke shprehur besimin se kontributi i saj do të jetë themelor në konsolidimin e mëtejshem të pavarësisë së vendit.
Dëshiroj t’iu siguroj për angazhimin tim dhe atë të qeverisë shqiptare, shkruhej në urimin e kryeministrit, për forcimin më tej të marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes të dy vendeve tona dhe për të shndërruar bashkëpunimin e ngushtë, në shembullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit në rrugën e paqes dhe prosperitetit, jo vetëm të kombit shqiptar, por të të gjithë rajonit, si dhe për ecjen përpara në rrugën e përbashkët të integrimit euro-atlantik.
Edhe Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli përshëndeti Zonjën Jahjaga, duke e cilësuar një shenjë të lartë emancipimi, zgjedhjen e një gruaje në krye të Kosovës.
Top Channel