Libi, snajperat qëllojnë mbi fëmijët

08/04/2011 18:05

Trupat e kolonelit Muammar Gaddafi kanë avancuar në lindjen e qytetit të Misratës, ndërsa dyluftime janë duke u zhvilluar në rrugët kryesore të “bastionit” të vetëm rebel në perëndimin e Libisë, raportoi CNN.

Sipas UNICEF-it, snajperat e ushtrisë po qëllojnë në mënyrë të vazhdueshme ndaj civilëve që banojnë në qytet, ndërsa ata nuk po kursejnë as fëmijët.

Misrata ndodhet e rrethuar dhe po sulmohet prej disa javësh nga forcat qeveritare, ndërsa rebelët kanë paralajmëruar se qyteti do të “pushojë së ekzistuari” nëse NATO nuk do të ndërhyjë menjëherë.

Për zhgënjimin e thellë të kryengritësve, NATO ndërhyri vetëm për të bllokuar furnizimet me armë që po i dërgoheshin Misratës nga rebelët e ndodhur në lindjen e vendit, pasi rezoluta e OKB-së ndalon çdo lloj transporti apo furnizimi me armë në vendin e Afrikës Veriore.

”Ndërhyrja e vetme” e bërë nga NATO në Misrata ka qenë nëpërmjet dërgimit të disa tonelatave me biskota shumëkalorifike, miell dhe tableta që pastrojnë ujin, së bashku me ilaçe për të kuruar 30 mijë persona.

Bombardimi i forcave qeveritare është bërë i pamundur, pasi ata mbrohen në zonat urbane.

Top Channel