Libi, NATO përgënjeshtron faljen

08/04/2011 15:05

NATO përgënjeshtroi raportet se i ka kërkuar falje rebelëve për bombardimin e gabuar që  vrau të paktën katër kryengritës një ditë më parë.

Admirali Russ Harding, duke folur për mediat ndërkombëtare, theksoi se deri më sot, NATO nuk kishte informacion se trupat rebele kishin filluar të përdornin tanke.

”Detyra jonë është të mbrojmë civilët në Libi”, tha Harding. “Me sa duket, dy prej bombardimeve tona një ditë më parë shkaktuan vdekjen e disa trupave rebele që po operonin në një zonë luftimesh me tanke.

Nuk kemi ndërmend të kërkojmë falje për këtë. Situata në terren është shumë e paqartë dhe nuk ka vijë fronti të qartë. Deri në këtë incident, nuk kishim informacion se forcat e opozitës kishin nisur të përdornin tanke.

Roli ynë është të mbrojmë civilët dhe një numër i madh viktimash mes tyre janë  shkaktuar pikërisht nga përdorimi i tankeve për të goditur qytetet, prej trupave qeveritare”.

Një ditë më parë, avionë të NATO-s shkatërruan të paktën dy tanqe të operuar prej kryengritësve, duke shkaktuar tërheqjen e tyre nga një ofensivë e nisur në provincën e Ajdabijës.

Top Channel