Konferenca gjyqësore

08/04/2011 18:20

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj është shprehur gjatë punimeve të konferencës gjyqësore se gjyqësori duhet t’i fitojë sfidat e së ardhmes dhe se gjyqtarët që shkelin ligjin duhet të ndëshkohen.

“Kjo është sfida jonë që duhet ta fitojmë me patjetër me qëllim që puna, emri dhe nderi ynë të mos nëpërkëmbet. Nga ana tjetër ato gjyqtar që abuzojnë me funksionin dhe besimin e cilitdo, duhet të ndëshkohen e të largohen nga vetë organizimi ynë. Nuk duhet të ketë imunitet për gjyqtarët e korruptuar, por nga ana tjetër duhet kushtuar kujdes dhe vëmendje që gjyqtarët të jenë të sigurtë në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore e mos të ndihen të shantazhuar nga etiketime përgjithsuese”, tha Beçaj.

Konferenca gjyqësore është mbledhur për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të KLD-së.

Kreu i Gjykatës së Lartë deklaroi se duhet të ketë një bashkëpunim midis shkallës më të lartë të gjyqësore me Këshillin e Drejtësisë.

“Një raport më intensiv duhet të vendoset ndërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë, si shkalla e fundit ku rishikohen vendimet e gjykatave më të ulëta. Duke evidentuar zvarritjet e proçeseve gjyqësore, shkeljet proçeduriale apo ligjet materiale, paaftësinë apo papërgjegjshmërinë, ne mund të shërbejmë më mirë në përmirësimin e imazhit tonë dhe rritjen e cilësisë. Por ne jemi ende në nivele teorike diskutimi përsa kohë zëri ynë është shumë i dobët në krahasim me dy pushtetet e tjera”, theksoi Beçaj.

Për dy vendet e mbetura bosh kandidojnë 11 gjyqtarë nga të cilët komisioni i verifikimeve përjashtoi 2 prej tyre, Gjin Gjonin dhe Artur Gaxhën, për arsyen se gjykatat në të cilat punojnë kanë përfaqësues në KLD.

Dy të përjashtuarit kanë shprehur pakënaqësi për vendimin, por pas votimit konferenca ka vendosur përjashtimin e tyre nga gara.

Top Channel