
Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, deklaroi sot se plani i vendeve arabe për të negociuar dorëheqjen e tij ishte një “ndërhyrje e paligjshme”.
Ditën e mërkurë, Kryeministri i Katarit, Sheikh Hamad bin Jassim al-Thani, deklaroi se do të bisedonte me Saleh për zgjidhjen e krizës politike në vendin e tij, por njeriu që drejton vendin më të varfër arab prej 32 vitesh, është i vendosur të vazhdojë përpara, pavarësisht revoltave gjithmonë e më të dhunshme popullore.
”Nuk mendojmë se i takon Katarit apo ndonjë shteti tjetër që të përcaktojë se çfarë duhet të ndodhë në vendin tonë”, deklaroi Saleh, përpara një turme të entuziasmuar mbështetësish në kryeqytetin Sana.
Vendosmëria e Saleh për të ruajtur pushtetin i ka kushtuar jetën disa dhjetëra jemenasve, ndërsa 21 njerëz humbën jetën vetëm në një ditë, ndërsa policia hapi zjarr në qytetet e Taizit dhe Hudaidës.
Saleh ka ofruar largimin e tij gradual nga skena politike deri në vitin 2012, por opozita ka refuzuar kërkesën, duke kërkuar ikjen e tij të menjëhershme.
Jemeni është vendi më i varfër në botën arabe dhe përballet me një betejë të ashpër me lëvizjet terroriste dhe separatiste. Megjithartë, Saleh konsiderohet si një aleat i çmuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Top Channel