Incident në nëndetësen bërthamore britanike

08/04/2011 18:15

Një marinar i Marinës Mbretërore Britanike mbeti i vrarë dhe një tjetër është në gjendje të rëndë, pasi u qëlluan në bordin e nëndetëses bërthamore “HMS Astute”, e cila sapo ishte ankoruar në portin e Sauthhemptonit.

Një marinar i tretë është arrestuar nga policia, pasi besohet se ai qëlloi ndaj dy shokëve të tij pas një zënke banale, bëri të ditur BBC.

Një zëdhënës i ushtrisë përjashtoi mundësinë që ky akt të jetë i lidhur me terrorizmin. “Dy pjestarë të nëndetëses mbretërore “HMS Astute” mbetën viktima të një sulmi të armatosur në Sauthempton dhe për fat të keq, njëri prej tyre ka ndërruar jetë”, informoi zëdhënësi.

”Marina është duke u përpjekur që të informojë sa më shpejt familjet e tyre për ngjarjen e rëndë”.

Ministri i Mbrojtjes, Liam Fox, reagoi: “Jam thellësisht i tronditur që dëgjoj për këtë incident dhe për vdekjen e një marinari të Marinës Mbrëtërore ndërsa ishte në shërbim.

Shpresoj që një hetim i detajuar dhe gjithpërfshirës i policisë të jetë në gjendje të zbardhë sa më shpejtë ngjarjë. Në këtë moment, të gjithë mendimet e mia shkojnë tek familja e të ndjerit, të cilës i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”.  

Një ngjarje e tillë në një nëndetëse me kapacitete bërthamore u konsiderua menjëherë nga BBC si “jashtëzakonisht shqetësuese”, por për momentin asnjë e dhënë e mëtejshme nuk është bërë rreth arsyeve që çuan në këtë krim të shëmtuar.

97 metra e gjatë, “HMS Astute” është krenaria e flotës detare britanike, pasi ajo është nëndetësja e saj më e madhe dhe më moderne. Ajo mbart predha bërthamore që kanë një rreze prej 2 000 kilometrash.

Top Channel