Gjermani, aksident rrugor, 10 viktima

08/04/2011 21:15

Të paktën dhjetë persona humbën jetën disa orë më parë në Gjermani, pasi mbetën të përfshirë në një superaksident në një autostradë.

Sipas mediave gjermane, janë 97 të plagosurit dhe disa prej tyre janë shoqëruar në spital në gjendje kritike, pasi bilanci tragjik mund të rritet.

Aksidenti ndodhi pranë qytetit të Rostokut dhe përfshiu 80 makina. 20 prej mjeteve morrën flakë dhe një pjesë e viktimave vdiqën të karbonizuar.

Nga forca e aksidentit, makinat kanë fluturar në të dy senset e lëvizjes në autostradën A19, duke bllokuar tërësisht trafikun, ndërsa zjarrëfikësit ende nuk i kanë shuar të gjitha flakët.

Besohet se aksidenti është ndikuar nga një stuhi ere, e cila ngriti rërën nga fushat e punuara, duke reduktuar shikueshmërinë në më pak se 100 metra.

Ky mund të shndërrohet në aksidentin më serioz në një autostradë gjermane që prej vitit 1990, kur si pasojë e mjegullës 11 persona mbetën të vrarë.

Top Channel