Dita ndërkombëtare e romëve

08/04/2011 16:45

70 vjet më parë në Londër u organizua konferenca ndërkombëtare nga ku edhe u caktua që data 8 prill të jetë Dita Botërore e Romëve të cilët në Shqipëri, sipas statistikave janë 150 mijë banorë.

Unioni për zhvillim dhe integrim të minoritetit rom në Shqipëri “Amaro Drom” ka zhvilluar një konferencë me temë “Për një shoqëri pa paragjykime dhe diskrimine”, ku morrën pjesë presidenti i Republikës, Bamir Topi, ambasadorë të akredituar në Tiranë dhe përfaqësues nga organizmat qeveritare.

Kryetari i këtij unioni kërkoi më shumë kujdes për arsimimin e këtij komuniteti.

“Fëmijët tanë janë më ata që dikur endeshin pa harruar moshat e treta. Le të shërbëj ky si një mesazh se arsimi për ne do të jetë dhe do të mbetet një prioritet”, është shprehur Skënder Veliu, përfaqësues i “Amaro Drom”.

Kreu i shtetit Bamir Topi që në fillim të fjalës së tij tha se komuniteti rom është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë.

“Sot është një ditë e shënuar e cila vjen 40-vjet mbas atij takimi të parë të organizuar në Londër që në thirrjen “Gelen-Gelen“ u organizua si e para konferencë ndërkombëtare dhe u konsakrua si “Dita Ndërkombëtare e Romëve“. Kjo festohet kudo në të gjithë botën, festohet edhe në Shqipëri dhe sigurisht është një nga atributet e rëndësishme të viteve të demokracisë që kjo ditë e shënuar festohet në liri të plotë, festohet në një harmoni më të gjithë pjesën tjetër të shoqërisë”, tha Topi.

Presidenti Topi  ka dënuar incidentin e denoncuar në Top Channel të datës 8 prill ku u dogjën barakat në cilën strehoheshin pjestarë të këtij komuniteti.

“Rasti i fundit, që ju e përmendët, që ka të bëjë me një episod të pakëndshëm në një zonë këtu, shumë afër këtij ambienti ku ne po zhvillojmë Konferencën, pikërisht tek stacioni i trenit, patjetër që alarmoi të gjithë institucionet shqiptare, sepse ishte një rast vërtetë violent, episodik, por që na bën të reflektojmë që elementë të tillë të cilët ndikojnë në prishjen e imazhit të institucioneve shqiptare, që në fakt kanë qenë të gjithë shumë të ndjeshme përsa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetet. Të rikthejnë situatën në një situatë normale”, theksoi Topi.

Meqënëse dita e sotme përkonte me hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit presidenti Topi ka inkurajuar romët shqiptarë të jenë aktiv në këtë eveniment shumë të rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri siç i vlerësoi ai këto zgjedhje.

“Duke shfrytëzuar të drejtën e votës juve bëheni kontributorë direkt të përmirësimit të klimës sociale në Shqipëri”, tha zoti Topi.

Top Channel