Berisha prezanton Ardian Kollozin

08/04/2011 18:40

Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar kandidatin për kryetar të Bashkisë së Vlorës, Ardian Kollozin, duke kërkuar nga qytetarët vlonjatë mbështetjen e tij. Berisha ka theksuar se mazhoranca kërkon votën në Vlorë pasi ka investuar në këto katër vjet rreth 400 milionë euro.

Kryeministri edhe pse ka theksuar se nuk do të merret me kundërshtarin e tij politik, ka sulmuar Edi Ramën duke e konsideruar si një humbës të çdo beteje që ka ndërmarrë.

“Vlora është e para. Ne vijmë këtu sot tek ju pasi Vlorën e Ismail Qemalit e kemi shndërruar në Vlorën e NATO-s. Ne vijmë këtu pasi Vlorën e flamurit e kemi bërë qytetin e qytetarëve që lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Ne vijmë sot tek ju për të paraqitur kandidat për kryetar bashkie birin tuaj të shquar, pasi Vlorën e keni bërë të njohur në mbarë botën, pasi priti në këto katër vite turistë më shumë se në të gjitha kohërat të marra së bashku. Ne paraqesim sot Ardian Kollozin para jush pasi kemi investuar në rrugë, në shkolla, në kanalizime, në ujësjellësa, vreshtari, ullishte, rreth 400 milionë euro, më shumë se çdo kohë tjetër”, tha Berisha.

“Ne paraqesim sot Ardian Kollozin sepse me të ne duam të përgatisim Vlorën në 100 vjetorin, Vlorën e flamurit, kryeqyteti i shqiptarëve. Jam këtu për t’u garantuar se çdo projekt të kryetarit tuaj të ardhshëm, qeveria do ta mbështesë”, shtoi Berisha.

“Le t’i themi zotit Edi Rama se rruga e vetme e jotja është rruga e karriges tënde, është rruga pa kthim, është rruga e asgjëkundit. Rruga jote është rruga e konfliktit, bllokimit, ndërsa jona e mirëkuptimit dhe zhvillimit. Kryetar bashkie në Tiranë në katër vitet e shkuara nuk ishte Edi Rama, por Sali Berisha. Duhet t’i them këtij zotërie se tipar themelor dallues, midis njeriut të qytetruar është përgjegjësia qytetare, ndaj dhe zoti Rama në këtë fushatë të garantoj se nuk do merrem me ty. Je politikani i vetëm që s’ke fituar qoftë dhe një betejë të vetme politike. Socialistëve u shpreh nderimin tim, por u rikujtoj se kryetari juaj që nga mëngjesi deri në darkë bërtet për beteja politike, ka humbur dhe do humbas çdonjerën prej tyre. Në krye të PS-së Rama nuk erdhi vetë, e solli Fatos Nano dhe Sali Berisha. Dil në skenat e mbarë vendit. Dil për karrige, unë për interesat e qytetarit”, theksoi Berisha.

Ndërkohë kandidati i PD-së, Kollozi ka theksuar se do t’i japë fund betonizimit të qytetit dhe shpërfytyrimit të tij nga ndërtesat shumëkatëshe.

“Do ia kthejmë fytyrën sheshit të Flamurit”, ka theksuar Kollozi.

Top Channel