Tiranë, PS hap zyrtarisht fushatën

07/04/2011 18:05

Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në një miting të organizuar në një nga ambjentet e mbyllura të kryeqytetit, fillimisht kanë folur qytetarë të thjeshtë.

Ata kanë falenderuar bashkinë e Tiranës për ndihmat që u ka dhënë, pasi një prej tyre ishte e papunë, një tjetër e paralizuar dhe një tjetër në vështirësi ekonomike.

Më pas kanë folur ish-nënkryetarët e bashkisë së kryeqytetit, Mimi Kodheli dhe Eduard Shalësi, të cilët kanë vlerësuar se gjatë qeverisjes nën drejtimin e kryetarit Edi Rama, në Tiranë është rindërtuar infrastruktura, është riparuar transporti urban, janë shtruar rrugët, janë riparuar shkollat dhe qendrat sociale.

Më pas kanë folur edhe zyrtarë të tjerë të bashkisë, të cilët kanë prezantuar projekte të ndryshme të bashkisë, disa prej të cilëve janë realizuar në të kaluarën, ndërsa të tjerë do realizohen në të ardhmen.

Duke vlerësuar figurën e kryetarit Edi Rama, eksponentët e PS kanë kërkuar votimin e tij, për të vazhduar, sic thanë ata, evropianizimin e Tiranës.

Top Channel