Siri, reforma për të kënaqur kurdët

07/04/2011 15:50

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, shpalli sot një dekret që pajis me shtetësinë siriane të gjithë njerëzit që jetojnë në lindje të rajonit të al-Hasakës, i banuar në një shumicë dërrmuese nga popullësi kurde.

Dekreti konsiderohet një zbutje e autoritarizmit të ashpër të partisë Baath, që ka mbajtur të shtypur për më shumë se pesë dekada këtë krahinë, ndërsa përbën gjithashtu një tentativë për të fituar përkrahjen e kësaj pakice kombëtare.

Nuk është e qartë se sa persona do të përfitojnë prej këtij dekreti, por të paktën 150 mijë kurdë janë të regjistruar si të huaj, që prej numërimit të popullësisë në vitin 1962 në krahinën e al-Hasakës.

Pavarësisht këtij lajmi, lideri i kurdëve sirianë, Habib Ibrahim, deklaroi se pakica kombëtare që ai drejton do të vazhdojë luftën e saj paqësore për më shumë të drejta civile dhe për vendosjen e një demokracie që do të zëvendësojë drejtimin autokratik të presidentit Assad.

Ndërkohë, 48 kurdë u liruan nga një burg në Raqa, në një akt që përbën një tjetër gjest të qëllimeve paqësore të shtetit.

Kurdët mendohet se përbëjnë 10-15% të popullësisë prej 22 milion banorësh të Sirisë dhe disa qindra prej tyre u arrestuan dhe u burgosën në vitin 2004, pas disa protestave për më shumë të drejta.

Top Channel