PS: KQZ vodhi fletën e votimit

07/04/2011 13:00

Partia Socialiste ka dononcuar shkeljet që po bëhen nga Komisioni Qendror Zgjedhor, duke theksuar se po hyn në zgjedhje e pabarabartë me kundërshtarët e saj politikë.

Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa ka theksuar se KQZ, në shkelje të hapur me ligjin, ka ndryshuar fletën e votimit për zgjedhjet lokale të 8 majit, duke mos reshtuar partitë e koalicionit të opozitës.

“Nesër nis beteja e madhe e qytetarit. Këto janë të parat zgjedhje që ne hyjmë pa asnjë reflektim ligjor ndaj rekomandimeve të ODIHR-it. PS nis në kushtet e një gare të pabarabartë ndërmjet palëve. Nis me një KQZ që vepron në shkelje të hapur të ligjit. Dje ndodhi skandali i fundit i radhës. Në një seancë turpi në prani të medias, pa asnjë vetëpërmbajtje shumica në KQZ deformoi përmbajtjen e fletës së votimit duke hequr nga lista partitë e koalicionit ‘Aleanca për të ardhmen’”, tha Xhafa.

“Vendimi është marrë në kundërshtim të hapur të ligjit. Deri këtu arriti paturpësia morale e opozitës. Berisha bëri dje vjedhjen e radhës, vodhi fletën e votimit. Në këtë vendim pjesa e KQZ-së e varur nga qeveria ka shkaktuar dëmtimin e standardit zgjedhor. Mosshënimi i emrave të partive përbërëse të “Aleancës për të ardhmen”, kur kjo është bërë për forcat e qeverisë, është një shenjë e qartë edhe për ata që kanë iluzione për funksionimin e këtij institucioni”, theksoi Xhafa.

“KQZ po e fut proçesin në shina të rrezikshme për fatin e tij. Ne nuk mund të kemi asnjë besim tek kjo KQZ dhe kreu i saj. Ne nuk mund të respektojmë abuzuesit e pamoralshëm me ligjin. Kjo vendimarrje përbën një cënim të rëndë të standardeve zgjedhore. I kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë në mënyrë të paanshme ndaj shkeljeve të tilla të ligjit. Ne i bëjmë një apel kolegjit zgjedhor që të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Secili do të përgjigjet një ditë për krimin zgjedhor në këtë vend. Prokuroria të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit”, tha deputeti socialist.

Xhafa ka vlerësuar prezencën e shtuar të vëzhguesve të ODIHR-it duke theksuar se ata nuk duhet të bien pre e presioneve të ndryshme që mund t’u bëhen.

“Ne e vlerësojmë prezencën e shtuar të vëzhguesve të ODIHR-it. Dëshirojmë të besojmë fortë në paanësinë e tyre duke shpresuar që opinionet e tyre të mos u nënshtrohen presioneve të interesave të lobuara. Shqipëria meriton të njëjtin standard si çdo vend tjetër në Evropë”, tha deputeti i PS-së.

“PS hyn nesër në një garë të pabarabartë, por e qartë për të denoncuar dhe numëruar çdo votë, e gatshme të bëjë çdo lloj sacrifice për të mbrojtur votën e qytetarit”, theksoi Xhafa.

Top Channel