Përmbytja, fatura 30 mln dollarë

07/04/2011 10:05

Qarku i Shkodrës ka nxjerrë dëmin që shkaktoi përmbytja masive e fundvitit. Sipas  njoftimit të bërë nga ky qark, mësohet se dëmi nga përmbytja masive është 30 milonë dollarë.

Përmbytja masive që ndodhi në muajin dhjetor të një viti më parë u klasifikuar si katastrofa më e madhe natyrore e ndodhur në Shqipëri gjatë 150 viteve të fundit.

Nga këto 30 milionë dollarë dëme, mësohet se 20 milionë janë dëme në banesa dhe rreth 10 milionë dëme në bujqësi. Dëmi është llogaritur edhe sipas njësive vendore.

Bashkia e Shkodrës ka një dëm rreth 412 milionë lekë, 71 milionë lekë në komunën Ana e Malit, 357 milionë lekë në Bërdicë, 113 milionë lekë në komunën e Gurit të Zi, 683 milionë lekë në komunën e Dajçit, 299 milionë lekë në Bushat, 130 milionë lekë në Velipojë, 11 milionë lekë në Malësinë e Madhe, 11 milionë lekë në komunën Rrethina, 3 milionë lekë në komunën Kastrat dhe 3 milionë lekë në zona të tjera që kanë qenë të dëmtuara, por që nuk kanë qenë të specifikuara konkretisht.

Shumë shpejt fatura financiare do të mbërrijë në qeveri dhe më pas i takon vendimit të qeverisë për të dëmshpërblyer familjet e dëmtuara.

Top Channel