Libi, NATO vret gabimisht 13 rebelë

07/04/2011 15:05

Të paktën 13 rebelë mbetën të vrarë në lindjen e Libisë, kur forcat e NATO-s bombarduan gabimisht karvanin e tyre.

Korrespondenti i BBC-së në rrethinat e Ajdabijës bëri të ditur se mund të shihet një situatë kaotike, me rebelët që po tërhiqen në thellësi të territorit të kontrolluar prej tyre, ndërsa forcat qeveritare po shfrytëzojnë këtë amulli për të bërë avancime të reja.

Kjo është hera e tretë që ndodh një incident i tillë që prej fillimit të bombardimeve, ndërsa ngjarja tregon se është bërë tepër e vështirë të shquash nga ajri ndonjë vijë fronti midis palëve ndërluftuese në terren.

Një drejtues i kryengritësve deklaroi se pa me sytë e tij katër raketa që goditën mjetet me të cilat po udhëtonin rebelët.

Ndërkohë, me dhjetëra mijëra civilë janë duke u larguar nga qyteti i Ajdabijës, pasi janë përhapur lajme se kolonel Gaddafi do të sulmojë së shpejti zonën.

Top Channel