Japoni, bie alarmi për tsunami

07/04/2011 19:30

Alarmi për tsunami në brigjet lindore të Japonisë u hoq përpara disa minuatash, ndërsa zyrtarët lajmëruan se puna në centralin bërthamor të Fukushimës është duke vazhduar normalisht, edhe pse me prani të kufizuar punonjësish.

Punonjësit e centralit të dëmtuar u evakuan me shpejtësi nga frika se një dallgë e lartë deri në dy metra do të godiste prefekturën e Miagit dhe Fukushimës, por pas vëzhgimit në det, shërbimet sizmiologjike të vendit deklaruan se asnjë tsunami nuk është verifikuar.

Përpara pak orësh, një tërmet me magnitudë 7,1 të shkallës riechter goditi vendin 40 kilometra pranë brigjeve lindore, duke krijuar panik dhe ankth në Japoninë e rrënuar nga tërmeti 9 ballësh i datës 11 mars.

Për sizmiologët, interesant është fakti që epiqëndra e tërmetit të sotëm ndodhi pothuajse në të njëjtin vend me atë të muajit të shkuar.

Aktiviteti sizmik në zonë është bërë objekt studimi nga ekspertët, të cilët po verifikojnë disa lëvizje të pazakonta të pllakave tektonike.

Besohet se i gjithë ky aktivitet ka rritur shanset për një tërmet shkatërrimtar në kryeqytetin Tokio. 

Top Channel