Fushata, Rama në Bilisht

07/04/2011 17:10

Edi Rama ftoi qytetarët e Bilishtit të mbështesin koalicionin e udhëhequr nga PS, si e vetmja rrugë që do të nxjerrë sipas tij nga varfëria, papunësia dhe kriza ekonomike Shqipërinë dhe shqiptarët.

Zoti Rama ka zgjedhur të ecë përmes rrugëve të qytetit, duke u takuar me banorë, të cilëve u ka kërkuar t’i japin përgjigjen që meriton regjimit aktual të kusarisë, sic e quajti ai kabinetin Berisha.

“Do t’i zgjidhim gjërat, mos u mërzit. Ne jemi e vetmja rrugë, s’kemi rrugë tjetër”, i ka thënë Rama një banoreje.

Sipas zotit Rama, ka ardhur koha që shqiptarët të reagojnë fort për të larguar nga pushteti një qeveri, që sic tha ai, nuk punon për ta, por për xhepat e saj. “Duhet të vini të votoni më 8 maj”, ka kërkuar Rama.

Kreu socialist e vuri theksin tek mënyra mafioze me të cilën kontrollohen qytetet në Shqipëri, të cilët sipas tij janë kthyer në prona që shfrytëzohen nga grupe interesi pranë kryeministrit.

“Keni frikë të flisni? Me votë luftohet papunësia, varfëria, korrupsioni e kusaria, që ju ka marrë frymën këtu, sepse pesë vetë kontrollojnë ekonominë këtu”, ka shtuar Rama.

Top Channel