Fushata, aleatët: 8 maji, fundi i Berishës

07/04/2011 19:45

Në ceremoninë që hapi pasditen e sotme fushatën e PS për zgjedhjet lokale kanë folur edhe aleatët e partisë më të madhe të opozitës.

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, në fjalën e tij ka akuzuar drejtuesit e Aleancës për Qytetarin për korrupsion.

“Berisha me dorën e majtë dhe Meta me të djathtën janë bërë bashkë për të vjedhur me të dyja duart. Shqiptarët janë të bindur se korrupsioni ka vetëm një ngjyrë, atë të makutërisë. Prandaj më 8 maj qytetarët do votojnë për aleancën tonë. Banda qeveritare akuzon të majtën për korrupsion, por harron se të akuzuarit ndër vite sot i ka përkrah saj”, ka deklaruar Gjinushi.

Duke vlerësuar qeverisjen vendore të Edi Ramës, kreu i PSD-së ka ftuar qytetarët që më 8 maj t’i japin goditjen e merituar “bandës qeveritare”.

“Edi Rama ka arritur sukses në qeverisjen e Tiranës. Fitorja jonë do rikonfirmohet më 8 maj dhe Tiranës do t’i bashkohen edhe qindra komuna”, ka pohuar Gjinushi.

Pas tij fjalën e ka marrë kryetari i PLD-së, parti e papërfaqësuar në Parlament, Spartak Ngjela, i cili ka vlerësuar betejën e shqiptarëve për votën e lirë.

“Beteja juaj në 1 vit e gjysmë për votën dhe të drejtat e tjera do mbetet në historinë politike të Shqipërisë si hapi i parë drejt një demokracie normale në vend”, ka pohuar Ngjela.

Ai ka shprehur bindjen e tij se zgjedhjet e 8 majit do të shënojnë edhe fundin e “tiranisë” së qeverisë Berisha, i cili sipas tij synon të mbajë vendin në regres.

“Këto zgjedhje do jenë testi ynë për moralin dhe fitorja jonë do të jetë fundi i tiranisë së Sali Berishës. Ky është një fund dhe unë për këtë jam i sigurt, ashtu si dhe ju. Ky pseudokryeministër synon të kërkojë një përcarje të pariparueshme të Shqipërisë dhe të mos lejojë zhvillimin ekonomik të saj”, ka shtuar Ngjela.

Top Channel