Clinton hedh poshtë kërkesat e Gaddafi-t

07/04/2011 15:45

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, hodhi poshtë kërkesën e liderit libian, Muammar Gaddafi, për të ndërprerë fushatën e bombardimeve ndaj vendit të tij.

Kjo kërkesë ishte përfshirë në një letër që iu dërgua presidentit Barack Obama, gjatë mbrëmjes së djeshme.

Në letrën prej tre faqesh, Gaddafi e konsideronte luftën e koalicionit ndaj vendit të tij si të pandershme, ndërsa i kërkonte SHBA-së që të përkrahte “ambiciet paqësore” të kolonelit dhe t’i jepte fund bombardimeve.

”Gaddafi e di se çfarë duhet të bëjë. Në mënyrë që të arrihet një armëpushim, forcat e tij duhet të tërhiqen prej qyteteve kryesore dhe të ndërpresin këtë dhunë, e cila deri tani i ka marrë jetën shumë njerëzve”, deklaroi Clinton.

”Ai duhet të largohet nga Libia dhe pushteti. Nëse do të bëjë këtë, do t’i sigurojë edhe vendin të tij paqen që ai kërkon, së bashku me ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s”.

Në letrën e bërë publike për shtypin, Gaddafi e konsideronte presidentin amerikan si një “bir të Afrikës” dhe i kërkonte që t’i jepte fund “një lufte të pandershme ndaj një vendi të vogël në zhvillim”.

”Ju jeni në një pozicion që të largoni NATO-n nga Libia një herë e mirë dhe për një kauzë të drejtë. Djali ynë i çmuar, i nderuar Baraka Hussein Abu Oumama, ju duhet të ndërhynë në emër të kombit që drejtoni dhe të largoni NATO-n nga ky kolonizim që po ndërmerret”, shkruante Gaddafi në letër.

”Pavarësisht asaj që do të ndodhë, do të mbetesh gjithmonë bir i kësaj toke. Ne, sinqerisht shpresojmë që të mund të rizgjidheni në zgjedhjet e ardhshme, pasi ju jeni një njeri me kurajon e duhur për të anulluar vendimet e gabuara”.

Top Channel