Rama: Berisha dështoi me shqiptarët

06/04/2011 15:55

Në lagjet e njësisë numer 9, kreu i bashkisë Edi Rama është ndalur për t’u takuar me banorë, tregtarë e kalimtarë të rastit.

“Në 8 maj, votën që të vazhdojmë të bëjmë rrugë, të vendosim drita, pemë dhe të ndalojmë këta që janë llumi i kusarisë”, ka thënë Rama gjatë takimeve.

I shoqëruar nga kandidati për kryetar minibashkie Armond Halebi dhe deputeti Eduard Shalsi, zoti Rama vuri në dukje dështimet e plota të qeverisë dhe kryeministrit Berisha në lidhje me qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

“S’ka lekë? Lekët janë ke blloku. Duhet ta dorëzojnë bllokun këta më 8 maj, sepse ndryshe i bëjnë lekët rrush e flamuj”, ka thënë Rama.

Duke e konsideruar kryeministrin Berisha si njeriun e regresit, premtimeve të pambajtura dhe mashtrimeve të shumta, kreu i bashkise Rama ashtu si një ditë më parë, përdori edhe tonet ironizuese e satirike ndaj tij duke treguar një anekdodë ku ishin të përfshirë edhe ish-presidenti amerikan George W. Bush dhe kryeministri italian Silvio Berlusconi.

Duke e cilësuar alternativën socialiste si të vetmen rrugë, zoti Rama theksoi se tiransit, ashtu si të gjithë shqiptarët, në 8 maj duhet t’i japin një përgjigje të fortë me votë kryeministrit Berisha dhe gjithë shpurrës së tij, që sic tha ai, po grabisin Shqipërinë në cdo cep të saj.

Top Channel