Rama: Qeveria bllokoi Tiranën

05/04/2011 16:15

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka qenë në lagjet e kryeqytetit që përfshihen nga njësia numër 3 ku është takuar me banorë e tregtarë të zonës.

“Urime dhe e ke të fituar!”, është shprehur një banor.

“Nuk është puna që të fitoj unë, por njerëzit që kanë 1001 probleme dhe që nuk dalin dot nga varfëria dhe papunësia”, theksoi Rama.

Duke u parashtruar banorëve projektet e reja të bashkisë për kryeqytetin zoti Rama nuk ka shmangur edhe ironinë ndaj kundërshtarit politikë.

“Tha njëherë një burrë: ‘Na ka gjetur halli se Iliri nuk është as pozita as opozita, por është depozita’. Kështu që duhet ta mbyllni depozitën, e keni në dorë vetë”, tha Rama duke qeshur.

Gjatë takimeve në njësinë numër 3 Rama ka vënë theksin tek harresa që u ka bërë qeveria shqiptarëve të cilët, sipas tij, u janë dhënë vetëm premtime boshe.

“Po na ndërpresin ujin dhe dritat dhe po na lënë për ibret”, theksoi një i moshuar.

“Më 8 maj duhet t’i kërkoni llogari për ujin, për dritat, për pensionet, për ilaçet, për vrasjet, për vjedhjet, për korrupsionin”, theksoi Rama.

Për opozitën, Basha më parë duhet të japë sqarime për dështimet, korrupsionin dhe vrasjet e 21 janarit e vetëm më pas të tentojë të bëjë fushatë në kryeqytet.

Top Channel