Fushata, Basha takon studentët

05/04/2011 20:10

Projekti “Tirana e 100 mijë studenteve”, një nga shtyllat kryesore të programit elektoral të Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës, e ka ulur në një bashkëbisedim të hapur me studentë nga universitete publike dhe private.

Duke shpjeguar sesi do ta ndërtojë marrëdhënien bashki – student në një kryeqytet me 100 mijë studentë, zoti Basha theksoi se një nga pjesët kryesore të projektit është Karta e Studentit, një dokument që do t’u japë studentëve privilegje të ngjashme me ato të studentëve europianë, ku në disa raste, parashikohen shërbime publike falas dhe përgjysmim çmimesh për raste të tjera.

Një premtim tjetër i zotit Basha për të rinjtë ishte nisja e ndërtimit brenda vitit të parë jo vetëm e bibliotekës moderne bashkiake të qytetit, por edhe ndërtimi i korpusit universitar, për të cilin ai dha edhe koordinatat.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, çështja e punësimit të të rinjve pas diplomimit ishte një nga pikat kryesore. Zoti Basha shpjegoi se në programin e tij ai ka planifikuar që bashkia të jetë hallkë lidhëse mes të rinjve dhe tregut të punës. Nga ana tjetër zoti Basha vuri theksin tek rëndësia e fytyrës sociale të bashkisë.

Gjatë takimit në ambjentet universitare, studentët plotësuan Karten e Angazhimit, ku ata bëjnë pyetje dhe sugjerime për Lulzim Bashën dhe programin e tij për Tiranën.

Top Channel