Standard and Poor, një nga kompanitë lider në botë për kërkimet dhe analizat financiare, vëren se kriza e zgjatur politike në Shqipëri po shndërrohet në rrezikun kryesor të ekonomisë.
Në një raport vlerësimi të pak ditëve më parë për ekonominë shqiptare, i cili i është dërguar Ministrisë së Financave, Standard and Poor thotë se polarizimi i skajshëm i klimës politike ka cënuar seriozisht aftësinë e qeverisë për ndërmarrjen e politikave dhe reformave efektive.
Kjo situatë, sipas ekspertëve, përvecse rrezikon seriozisht progresin e vendit drejt Bashkimit Europian, është një kërcënim edhe për zhvillimin e ekonomisë dhe qëndrueshmërinë e financave publike.
Kompania ka rilënë në fuqi vlerësimin B+ me prespektivë stabël për borxhin e qeverisë. Por, sic shprehet raporti, niveli i borxhit publik në Shqipëri është i lartë dhe ky vlerësim mund të vihet nën presion nëse qeveria do të devijojë nga programimet aktuale për borxhin, ose nga faktorë të tjerë të jashtëm.
Standard and Poor vlerëson se rritja relativisht e lartë e ekonomisë shqiptare krahasuar me vendet e tjera të rajonit është një faktor pozitiv për financat publike.
Por ekspertët e saj theksojnë se buxheti mund të vihet nën presion nga faktorë të tjerë, që përfshijnë rritjen e shpenzimeve për pesnione, sidomos pas reduktimit të kontributeve në maj të vitit 2009.
Një tjetër risk, sipas raportit, është edhe ai i shpenzimeve të larta qeveritare në prag të zgjedhjeve. Ndaj, duke parë këto rreziqe raporti propozon miratimin e një rregulli fiskal që do të kufizonte qeverinë të devijojë nga programet e miratuara fiskale.
Top Channel