PS: Para të pista për News 24

04/04/2011 15:50

Partia Socialiste, përmes deputetit Erjon Brace i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së parandalimit të pastrimit të parave që të mbikëqyrin operacionin financiar përmes të cilit sipas tij, synohet të blihet televizioni News 24.

Për Bracen, gjithcka po kryhet përmes parave të pista nga dy politikanë të korruptuar, pjesë e mazhorancës, në një operacion që kap shifrat e 7 milionë eurove.

“Paratë e pista depozitohen në bankë për të mbuluar financiarisht operacionin. Banka jep kredi 7 milionë euro për dy biznesmenët e mbuluar nga paratë e pista. Për këtë ata kanë ofruar si kolateral aksionet e aksionerëve të tjerë në një kompani pijesh në vështirësi financiare. Blerës fundorë të nënshkruar janë po ata. Një pjesë e aksionerëve nuk dinë gjë fare për aksionet peng”, ka deklaruar Brace.

Erjon Brace ka theksuar se kjo kompani po blihet për t’u shkatërruar dhe për vlerën e ofertës, sipas tij, janë shokuar edhe vetë ekspertët italianë, të cilët e dinë mirë që një media nuk mund të riktehejë më këtë shifër që kërkohet të investohet.

“Nuk po e blejnë grupin mediatik për ta zhvilluar e mbajtur me “paratë e tyre”! Thjesht po e blejnë për ta vdekur dhe kjo vdekje është histori e përsëritur dhe në rastin e një televizioni kombëtar, për fat të keq, sot i vdekur!”, ka shtuar Brace.

Top Channel