Fushata, Basha në njësinë 9

04/04/2011 16:15

Njësia bashkiake numër 9, që përfshin qendrën e Tiranës, deri tek Zogu i Zi dhe përtej zonës së burgut, është bërë pjesë e fushatës elektorale të kandidatit demokrat Lulzim Basha.

Në bashkëbisedim me banorët e kësaj njësie, zoti Basha dëgjoi problemet që i shoqërojnë në jetën e përditshme dhe premtoi zgjidhje për to.

“Këtu s’ecën dot kurrë, edhe bizneset i kemi shitur”, i është ankuar një qytetar Bashës.

“Do t’i përvishemi punës dhe bizneset do t’i kesh sërish. Do ulim edhe taksat”, i është përgjigjur Basha, i cili ndër të tjera ka premtuar edhe dhënien fund të grabitjes së pronave.

Gjatë takimeve me qytetarët zoti Basha ka marrë prej tyre edhe mirënjohje për liberalizimin e vizave, një proces ku ai ishte aktor gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Brendshëm.

Por si zakonisht, ndaj kësaj vizite në njësinë numër 9 ka reaguar PS, e cila është shprehur e bindur se qytetarët nuk do t’ia japin votën e tyre një personi kaq të përfolur.

“Qytetarët t’i kërkojnë Lulit të japë llogari përse vodhi 200 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, përse shiti territorin e Shqipërisë dhe përse vrau 4 qytetarë. Shqiptarët e dinë cila është e vërteta, ndaj më 8 maj ata do votojnë Edi Ramën, e vetmja rrugë për shpëtimin e Tiranës”, ka deklaruar Lindita Nikolli.

Top Channel