
Për historianin e njohur Kristo Frashëri, 20 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, Shqipëria gjendet ende në një rrugë pa krye.
Në një intervistë për emisionin “Shqip” në Top Channel, Frashëri është shprehur se kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së vizionit qeverisës.
“Kriza ka rrënjët e veta, rrënjë të largëta, që shkojnë që nga shekujt e kaluara. Në momentin që jemi nuk kemi gjetur ende rrugën e qeverisjes. Ne mund të kalojmë 20 vjet të tjera në këtë rrugë, pasi njerëzit nuk e kuptojnë politikën. Ata vetëm dalin e shajnë kundërshtarin me fjalë banale. Sharja është mungesë e logjikës”, ka deklaruar Frashëri.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një situatë të rëndë ekonomike, referuar faktit se rreth 1 milionë shqiptarë jetojnë në mërgim dhe se importet janë më të larta se eksportet.
“Ne kemi 1 milion emigrantë që po të ishin këtu do ishin të papunë dhe kemi 1 milion të papunë edhe këtu. Kemi edhe njerëz që vuajnë për bukë. Gjithashtu, importi është më i madhe se eksporti. Kemi deficit, mirë që na mbajnë emigrantët me dërgesat dhe pronat shtetërore që po i shesim”, ka nënvizuar Frashëri.
“Shqipëria është në një sistem të papërcaktuar. Shtet industrial nuk jemi, i zhvilluar nuk jemi, pra jemi në një shtet pa përcaktim, jemi në gjendje fillestare”, ka pohuar ai.
Historiani i njohur ka shtuar më tej se një tjetër problem jetik është edhe gjendja e dobët e shtetit ligjor, i cili sipas tij nuk respektohet.
“Problemi më i madh është jo nxjerrja e ligjeve, por respektimi. Kryeministri akuzon opozitën se vjedh, kjo është mungesë e shtetit ligjor. Pse nuk e hedh në gjyq? Përse është gjyqi? Kur nuk e shfrytëzon ligjin nuk ke shtet ligjor. gjithashtu, ne ende nuk jemi cliruar nga mentaliteti i shkuar. Shtetet e tjera kanë 150 vjet që janë cliruar”, ka shtuar Frashëri.
Më tej, duke folur për dy liderët politikë të vendit, profesori është shprehur se ata kanë dallime si nga mentaliteti, ashtu edhe nga formimi.
“Berisha dhe Rama kanë edhe interesa pushtetesh edhe mentalitetesh. Berisha është një person i formuar, 90-a e gjeti të formuar. Ndërsa ky tjetri qe i ri dhe ka dallime brezash”, ka thënë Frashëri.
Top Channel