Berisha: Eksportet vendase, rritje me 68%

04/04/2011 14:10

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur ecurinë ekonomike të vendit gjatë një fjalimi në grupin parlamentar të PD-së. Ai ka theksuar se tremujori i këtij viti ka rezultuar me të ardhurat më të mira se çdo tremujor tjetër në historinë e vendit.

Sipas kreut të qeverisë, një ndër faktorët kryesorë në këtë arritje është rritja e eksporteve të produkteve “Made in Albania”.

“Ky tremujor mbyllet me rezultate konkrete ekonomike me prodhim dhe të ardhura më mirë se çdo tremujor tjetër në historinë e vendit. Eksportet kanë një rritje prej mbi 68 përqind, në të cilat rritja e eksporteve ‘Made in Albania’ përbën pjesën e luanit”, deklaroi Berisha.

“Vendimi i fundit që mori qeveria për të hequr tarifën për mallrat e importuara nga sipërmarrjet fason dhe rieksportin e tyre si prodhim, është një masë që do të ndihmojë shndërrimin e këtyre ndërmarrjeve në sipërmarrje prodhuese eksportuese tërësisht shqiptare. Kjo do të ndikojë në krijimin e 10 mijëra vende punë të tjera, si dhe përbën një ftesë për investitorë të kësaj industrie”, u shpreh kryeministri.

“Të një rëndësie të veçantë do vlerësoja përformacën e të ardhurave të cilat karahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar është shumë e mbarë. Çka do të thotë se qeveria do të jetë në gjendje t’i përgjigjet rritjes së pensioneve, ndihmës ekonomike dhe rritjes së rrogave të administratës. Ky është një lajm i gëzueshëm për 810 mijë familje shqiptare. Kjo ndodh në Shqipëri si një nga vendet më të pakta në Evropë dhe botë pasi siç jeni në dijeni në vendet e tjera masivisht vazhdon ulja e rrogave dhe pensioneve”, theksoi Berisha.

Top Channel