Listat, faji i politikës

03/04/2011 20:15

Partia Socialiste ka hedhur dyshime se në listat e zgjedhësve në Tiranë janë futur shtetas që nuk banojnë realisht në kryeqytet, për ta cuar balancën në favor të demokratëve.

Dy ish-kryetarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Clirim Gjata dhe Ilirjan Celibashi refuzojnë të thonë nëse këto pretendime qëndrojnë apo jo.

Por zoti Celibashi thotë se partive u duhet vënë lista në dispozicion. Kjo gjë rrit transparencën dhe ndihmon besimin e palëve në procesin zgjedhor.

“Partitë politike e kanë këtë të drejtë dhe unë mendoj që Kodi Zgjedhor nuk ka asnjë pengesë që partive politike t’u vihet në dispozicion cdo lloj informacioni që ka të bëjë me procesin e përgatitjes së listës së zgjedhësve”, thotë Celibashi.

Pasardhësi i zotit Celibashi në krye të KQZ-së, zoti Gjata, vë re se të vetmit që mund të ankohen për listat janë vetë qytetarët, pas një ankimimi vetjak në gjykatë. Ekskluzivisht për Top Channel, ai sqaron:

“Drejtuesi i pushtetit vendor që konkuron vetë, bën listat e zgjedhjeve për të cilat ai do të konkurojë. Pra kemi një konflikt interesi, të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Atëhere kush e kontrollon këtë? Fakti që subjektet zgjedhore s’kanë asnjë të drejtë ankimimi, kjo është një boshllëk ligjor dhe s’ka organ që kontrollon drejtuesin e pushtetit vendor për këtë.  Nuk ke ku të ankohesh kurrëkund. Kështu e kanë bërë ligjin. Kur ne, teknicienët atëhere e ngrinim me forcë këtë problem, nuk na pyeste njeri. Ju e dini, politika thotë “të bëhet dritë, të bëhet ky kod kështu”, dhe kështu u bë. Nuk vjen kush të pyesë teknicienët: more ku janë problemet, ku calon puna, dhe ja ku dalin problemet tani”, shprehet Gjata.

Megjithatë, pas zgjedhjeve, listat mund të bëhen objekt i procesit ankimor, ose në KQZ ose në Kolegjin Zgjedhor:

“Përmbajtja apo vlera e këtij si dokument, ka impakt në procesin zgjedhor dhe nëse ky impakt është i tillë që është me ndikime ne rezultat atëhere sjelle si pasojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve, ndryshimin e rezultatit apo gjëra të tjera të kësaj natyre, por drejtpërsërdrejti nuk ka impakt në ndryshimin, në kontentin e listës së zgjedhjeve”, sqaron ish-kryetari KQZ, Celibashi.

Top Channel