Basha, fushatë në Njësinë nr. 3

03/04/2011 16:00

Gjatë takimit me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 3 Lulzim Basha, në vazhdën e fushatës së tij elektorale ka garantuar realizimin e disa kërkesave si, asfaltimin e rrugëve, ambiente çlodhëse për të moshuarit, kënde lojërash për fëmijë, si edhe biblioteka dhe internet falas.

Basha është njohur me problemet shqetësuese në këtë zonë për të cilën është shprehur se është e amortizuar dhe e lënë në harresë.

“Jap fjalën se në çdo lagje të Tiranës ne do të ndërtojmë hapësira të gjelbërta për fëmijët. Për mua asgjë nuk ka para jush, para qytetarëve të Tiranës, para problemeve dhe halleve tuaja”, tha zoti Basha.

Gjatë programit të tij në fushatën elektorale, të shtunën në mbrëmje, kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, ka ndjekur operën Traviata pasi në platformën e tij ka edhe gjallërimin e jetës kulturore në kryeqytet.

PS: Basha e Ruli zhdukën shkollën

 

Por Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Eduard Shalsi akuzoi Lulzim Bashën dhe mazhorancën se bllokuan projektin për ndërtimin e një shkolle 9 vjeçare dhe një të mesme në këtë njësi bashkiake, duke përvetësuar truallin ku ishte parashikuar ky projekt.

“Ky truall që shihni është një vend ku u bë një projekt dhe banorët të kishin një shkollë 9 vjeçare dhe të mesme. Por Luli, Rruli i rrëmbyen banorëve të ardhmen e fëmijëve të tyre. Nuk dimë kush e ka marrë, ndoshta ka rënë në duart e ndonjë fazlliçi për 1 euro. Kjo është fytyra e vërtetë e Lulit dhe e Saliut që të tjera gjëra iu thonë e të tjera gjëra bëjnë. Një gjë është e sigurt, kur ai të mësojë humbjen spektakolare do të thotë fajin ma kishte Saliu”, tha deputeti socialist, Eduard Shalsi.

Top Channel