Energjia, prokuroria hetim CEZ-it

02/04/2011 10:30

Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka filluar një hetim të gjithanshëm ndaj CEZ-it për abuzimet me faturat e energjisë elektrike në dëm të qytetarëve. 

Parregullsitë dhe gabimet e shumta në fatura, që kanë luhatje të konsiderueshme nga njëri muaj në tjetrin, po kalojnë në “sitën” e prokurorëve.

Hetimi ka filluar kryesisht në bazën e ankesave të qytetarëve dhe denoncimeve publike në media ndaj këtij fenomeni, i cili ka prekur një pjesë të mirë të familjeve shqiptare.

“Prej disa javësh, njësia e përbashkët hetimore e krimit ekonomiko-financiar ka filluar një hetim ndaj CEZ-it për parregullsitë në faturat e matjes së energjisë elektrike. Oficerët e kësaj njësie i kanë kërkuar ndërmarrjes të gjithë regjistrat e faturimeve dhe faturave që kanë pasur probleme në dëm të konsumatorëve”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.

Institucioni i akuzës saktëson se nga hetimet paraprake ka rezultuar se dëmi në kurriz të konsumatorëve llogaritet miliona euro.

Top Channel