Dokle: Para falso për blerjen e votave

02/04/2011 13:50

Partia Socialiste ka akuzuar sërish qeverinë Berisha se po trafikon kartmonedha të falsifikuara për të blerë votat e shqiptarëve në zgjedhjet e 8 majit. (UPDATE)

Në një deklaratë për mediat, deputeti Namik Dokle është shprehur se heshtja e institucioneve ndaj këtij fenomeni fakton akuzat e opozitës.

“Qeveria fallco, pasi ka përzgjedhur brenda saj kandidatë fallco tani po përdor edhe para fallco. Cilësia e lartë e kartëmonedhave të falsifikuara, qofshin ato lekë, dollarë apo euro, sasia e madhe e këtyre parave fallco që po hidhen në qarkullim dhe tentativat për të blerë me to vota tregojnë qartë se këtu nuk bëhet fjalë për një veprim kriminal dosido, por për një operacion me përmasa qeveritare”, tha Dokle.

“Kjo është vetëm tentativa më e fundit e Sali Berishës për të manipuluar zgjedhjet duke abuzuar me varfërinë e qytetarëve shqiptarë. Është një tentativë e turpshme për t’i mashtruar e vjedhur shqiptarët dy herë. Njëherë duke u blerë votën. Dhe njëherë duke përdorur në këmbim para fallco. Paratë e pista të vjedhjes, korrupsionit e kontrabandës po përdoren nga regjimi i Saliut për të blerë e për të intimiduar median. Ndërkohë që paratë fallco po përdoren për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve duke blerë vota për kandidatët e tij”, theksoi ai.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që të tregohen veçanërisht të kujdesshëm për të mos rënë pre e këtij mashtrimi të radhës të stanit të Sali Berishës. Denoncojmë po ashtu faktin që asnjë nga organet shtetërore që duhet të hetonin dhe luftonin këtë trafik nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim. Ministria e Financave të Saliut duhet të kishte dhënë tashmë alarmin për këtë trafik. Ministria e Brendshme dhe Policia e Lulit të Saliut duhet të kishte filluar punën për të luftuar këtë fenomen. Heshtja e këtyre institucioneve është vërtetimi më i qartë se është vetë pushteti ai që po e organizon këtë trafik”, shtoi Dokle.

Top Channel