Vrasja e policit në Vlorë

01/04/2011 17:40

Jetnor Nakoleci është personi që doli para krimeve të rënda si autori i vrasjes së komandantit të Policisë në Vlorë, Roland Likaj.

25 vjeçari nga Korça mësohet të ketë thënë gjatë masës së sigurimit personal ndaj tij se ai qëlloi me armë ndaj policit në çastet që ky i fundit natën e krimit kishte tentuar t’i ndalonte.

Të pranishëm gjatë kësaj mase me dyer të mbyllura për shkak të fazës ku ndodhet çështja treguan se i riu ka shprehur pendesë dhe i ka kërkuar gjykatës mëshirë, në një kohë që gjyqtarja Etleva Deda pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës për ta lënë të pandehurin në arrest me burg pa afat për akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.

Ndërkohë gjykata çmoi të ligjshëm edhe ndalimin e 18 vjeçarit Elidon Zeqo, me precedentë të mëparshëm si i dënuar duke e lënë atë me masën arrest me burg po për akuzën e vrasjes së policit Likaj.

Mësohet se adoleshenti të ketë pohuar që ishte i pranishëm në çastet e krimit, por nuk është ai personi që e qëlloi.

Nga ana tjetër mungonte në masën e sigurimit personal i dyshuari tjetër, Saleo Stojani, 18 vjeç, emër i njohur veçanërisht për policinë në atë që quhet si krimi i rrugës. I riu i skeduar për qindra vjedhje në shumicën e policive në rrethe, po mbahet në burgun e Korçës, pasi ai u arrestua në këtë qark për vjedhje, ndërkohë që mësohet se masa e sigurisë ndaj tij do të jepet në ditët në vijim.

Nënkomisari Roland Likaj u vra në krye të detyrës në kohën kur ishte me shërbim gjatë turnit të tretë. Pak para krimit ai ka raportuar në radio duke kërkuar ndihmë pasi kishte parë disa persona të dyshimtë, ndërsa më vonë shokët e tij e gjetën të ekzekutuar me plumb në kokë në makinën e tij.

Fillimisht dyshimet ishin për një ekzekutim të kryer në mënyrë të sofistikuar, por që pas arrestimit doli se ishte një vrasje adoleshentësh, në tentativë për t’i shpëtuar një arrestimi të mundshëm gjatë kohës që ata po ktheheshin nga vjedhja e radhës.

Top Channel