Tryeza, Patozi: Optimist për marrëveshjen

01/04/2011 12:50

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje politike me PS.

Duke folur në tryezën e bisedimeve që po zhvillohet në këto momente, Patozi ka bërë të ditur se, pas kontakteve të vazhdueshme, dy palët kanë përafruar qëndrimet e tyre.

“Ekspertët e dy palëve kanë pasur kontakte dhe ne jemi në një draft për të cilin ata kanë rënë dakord, që përvec të gjitha pikave të draft-marrëveshjes të propozuara nga PD, të përfshihen edhe shumë prej kërkesave të PS, që kanë të bëjnë me angazhimet për një proces të drejtë brenda standarteve”, ka deklaruar Patozi.

Por nga ana tjetër, shefi i grupit të demokratëve ka nënvizuar se mazhoranca nuk mund të marrë përsipër garantimin e disa kushteve të kërkuara nga opozita, për të cilat nuk ka kompetenca.

“Edhe në takimet e shkuara, PD dhe partitë e tjera të koalicionit e kanë bërë të qartë se ne nuk mund të marrim angazhime që nuk na përkasin”, ka nënvizuar Patozi.

Ai ka rikonfirmuar qëndrimin e njohur të mazhorancës se nuk ka kohë për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke shtuar se kjo gjë duhet të bëhet në një periudhë tjetër në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PS në tryezë, Damian Gjiknuri ka deklaruar se opozita është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje vetëm nëse ajo u jep zgjidhje në tërësi problemeve që kanë cuar në krijimin e krizës politike në vend.

“Nisur nga një qëllim i mirë, ne propozuam cështje thelbësore që kthejnë besimin e palëve tek procesi zgjedhor. Kyci ishte transparenca postzgjedhore, sepse ajo qëndron në themel të krizës politike. Ne duam që edhe një ndërhyrje ligjore të jetë e pranueshme për procesin. Që një marrëveshje të adresojë të gjithë elementët që ka kriza. Nuk mund të prekim vetëm ato gjëra që na interesojnë dhe të lëmë të tjerat. Duhet ta adresojmë marrëveshjen tek cështjet e përgjithshme”, ka pohuar Gjiknuri.

Ai ka paralajmëruar se Partia Socialiste, që përfaqëson edhe partitë e tjera të opozitës, nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje nuk nuk adreson themelin e problemit.

Por Patozi është përgjigjur duke thënë se, “transparenca për listat dhe kontrolli postzgjedhor nuk mund të bëhet pa u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë”.

Top Channel