Shqipëri-Kosovë thellojnë raportet

01/04/2011 10:55

Shqipëria dhe Kosova do të thellojnë bashkëpunimin mes tyre, në vecanti ekonomik, si dhe do të koordinojnë përpjekjet për integrimet evropiane.

Ka qenë ky rezultati i takimit që ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka zhvilluar sot në Tiranë me zëvendëskryeministren kosovare, Edita Tahiri.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Haxhinasto ka përshëndetur edhe bisedimet me Serbinë, ku Kosova ka hyrë si shtet i barabartë.

“Kemi mirëpritur bisedimet që do të zgjidhin cështjet teknike mes dy vendeve. Kosova ulet në këto bisedime si shtet sovran. Gjithashtu, kam informuar ministren për përpjekjet e Shqipërisë për njohjet dhe integrimin e Kosovës. Është e rëndësishme që nga dialogu Kosova të angazhohet në një proces të shpejtë të integrimit evropian”, ka deklaruar Haxhinasto.

Edhe Tahiri nga ana tjetër ka vlerësuar se takimi i sotëm shërben për të thelluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në kuadër të interesave të përbashkëta.

“U angazhova që të flas për vizionin e politikës së jashtme të Kosovës, sepse kemi miratuar planet e reja dhe synohet që në kuadër të integrimeve mbështetja e Shqipërisë të vazhdojë. Shqipëria ishte një shtyllë e rëndësishme për pavarësimin e shtetit të Kosovës dhe kjo përkrahje po vazhdon”, ka pohuar Tahiri.

Sa për bisedimet me Serbinë, numri dy i qeverisë kosovare ka ritheksuar se ato nuk do të marrin karakter tjetër përvec atij teknik.

“Folëm për dialogun me Serbinë dhe përsëris se ky është një dialog me karakter teknik, për zgjidhjen e cështjeve që rëndojnë tek dy vendet. Ai nuk do të marrë dimensione të tjera. Ky dialog synon integrimin në strukturat evropiane”, ka shtuar Tahiri.

Top Channel