Marrëveshja, PS nuk firmos

01/04/2011 15:30

Pas katër ditë përpjekjesh dhe bisedimesh, marrëveshja e propozuar nga Partia Demokratike që angazhonte forcat politike në një fushatë të qetë, në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe për mosbllokim të proçesit elektoral, ka përfunduar si një firmosje e njëanshme vetëm nga mazhoranca. (UPDATE)

Partia Socialiste refuzoi t’i bashkohej kësaj marrëveshjeje, megjithëse nuk ishte kundër në parim dhe megjithëse një nga kërkesat e saj kryesore, transparenca e listave të votuesve, ishte përfshirë nga demokratët në draftin final të marrëveshjes.

Por sipas socialistëve, marrëveshja e propozuar nuk përmbushte kërkesën kryesore të opozitës transparencën post-zgjedhore.

Në tryezën e fundit, ku nuk mori pjesë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, eksperti socialist për çështjet zgjedhore, deputeti Damian Gjiknuri, shpjegoi se hetimi në çdo kohë i kutive të votimit ishte i vetmi ndryshim në kod që propozuan socialistët.

“Ne jemi pro zbatimi të kodit, por nuk mund të nënshkruajmë një marrëveshje që nuk jep garanci të prekshme, për opozitën dhe zgjedhjet që na vijnë. Kryesorja është transparenca post-zgjedhjore si një nga elementët kryesorë”, është shprehur Gjiknuri.

Por demokratët thanë se refuzimi i socialistëve ky ishte një qendrim i paracaktuar, që nuk i shërben qëllimit të mirë për zgjedhje të lira e të ndershme, megjithëse disa nga kërkesat e opozitës u përfshinë në marrëveshje.

Kjo marrëveshje parashikon që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të bëhen menjëherë pas zgjedhjeve, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias, dhe OSBE/ODIHR, misioni vëzhgues i të cilit përkrah mosndryshimin e Kodit përpara zgjedhjeve.

“Ne konstatojmë se opozita nuk arrin që të kapërcejë paragjykimet dhe interesat e saj të ngushta për këtë proçes zgjedhor. Ne mbetemi të anagazhuar që draft-marrëveshjen ta marrim përsipër dhe ta zbatojmë në të gjithë proçesin”, tha Patozi.

Mungesa e Partisë Socialiste në tryezën e firmosjes së marrëveshjes do të thotë që minimalisht, edhe zgjedhjet lokale të 8 majit do të zhvillohen në një klimë të lartë mosbesimi mes palëve, klimë e cila pritet të reflektohet veçanërisht ditën e zgjedhjeve dhe më pas.

Top Channel