Countryman, takime me liderët në vend

01/04/2011 17:30

Pas takimeve të ditëve të fundit të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak dhe komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, sot në Tiranë ka ardhur për një vizitë zëvendësndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe për Azinë, Thomas Countryman. (UPDATE)

Diplomati amerikan është takuar rreth orës 13:15 me kryeministrin Berisha dhe më pas me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Kryeministri Berisha e njohu Countryman me zhvillimet e tryezës së partive politike parlamentare, e thirrur nga Partia Demokratike, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it që i drejtohen në mënyrë specifike partive politike aktore në procesin zgjedhor për të marrë përsipër angazhimet politike dhe detyrimet ligjore që ato kanë në procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha nënvizoi se marrëveshja e paraqitur nga mazhoranca, e cila përfshin edhe një numër kërkesash për transparencë dhe garanci të bëra nga Partia Socialiste, bën një zbërthim të detajuar të rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it dhe do të shërbente si një garanci shtesë për një proces zgjedhor të suksesshëm.

Zoti Countryman vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë në dy muajt e fundit duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian në kuadër të integrimit dhe përpjekjet e mazhorancës për arritjen e një marrëveshjeje për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it janë zhvillime mjaft pozitive.

Zëvendës sekretari i shtetit ndërsa vlerësoi pregatitjet që po bën KQZ dhe institucionet e tjera për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve, nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standarteve më të mira por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën paszgjedhore.

Pak më vonë ai është pritur nga presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në takimin me kreun e Shtetit, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e rivendosjes së dialogut politik institucional, forcimin e demokracisë funksionale, respektimin e institucioneve të pavarura kushtetuese shqiptare si dhe rëndësinë e pavarësisë e të profesionalizmit të mediave.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit e siguroi edhe njëherë Presidentin Topi mbi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë punës dhe përpjekjeve të tij si simbol i unitetit të popullit në shërbim të Shqipërisë dhe demokracisë funksionale në vendin tonë.

Kryetari i shtetit theksoi dhe njëherë gatishmërinë e tij personale dhe institucionale, që në respekt të ligjeve dhe të interesave madhore kombëtare, të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që garanton zgjedhje të drejta, korrekte dhe demokratike dhe që inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe të gjithë infrastrukturën zgjedhore.

Në mbrëmje zoti Countryman do të japë një konferencë për shtyp në ambasadë, ku pritet të flasë për rezultatet e kësaj vizite, e cila ka të bëjë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 8 majit.

Top Channel