Countryman: Nga zgjedhjet varet integrimi

01/04/2011 22:55

Në një stafetë diplomatike, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit Thomas Counntryman ishte në Tiranë për të mbështetur qëndrimin e shprehur më parë prej Bashkimit Europian.(UPDATE)

“Siç na kujtoi të gjithëve vizita e Komisionerit Fyle, e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe shpresoj që të gjithë shqiptarët do të mbajnë parasysh që pikërisht kjo është çështja dhe sfida më e madhe, më e madhe edhe se zgjedhjet që po vijnë muajin tjetër. Suksesi i këtyre zgjedhjeve mund të përshpejtojë ose mungesa e suksesit mund ta ngadalësojë procesin e anëtarësimit në BE. Është e kuptueshme që duam të shohim një përshpejtim; kjo është ajo që meriton populli shqiptar”, tha Thomas Countryman.

Mesazhi vazhdonte me 2 pika të tjera: respektimin e pavarësisë së KQZ-së dhe mbi nevojën e një mekanizmi mosmarrëveshjet që mund të lindin ditën e zgjedhjeve.

“U takova me zotin Ristani. Së pari, theksova që Komisioni duhet të jetë i drejtë dhe objektiv si dhe transparent në të gjitha vendimet e tij. Së dyti, që presim nga të gjithë anëtarët e Komisionit që të respektojnë detyrimin e tyre për të marrë pjesë në punën e Komisionit. Njerëzit duhet të këmbëngulin dhe të presin nga partitë të respektojnë nevojën për një mekanizëm të pastër për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshjeje që mund të lindë ditën e zgjedhjeve”, theksoi Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në konferencën për shtyp, diplomati amerikan e shtjelloi më tej idenë e mekanizmit, që sipas tij qëndron në vullnetin e palëve për dialog.

“Të dyja palët shprehen se ato besojnë tek transparenca përpara, gjatë, dhe pas ditës së zgjedhjeve. Dhe unë iu besoj atyre… Procedura specifike për ta arritur është ajo për të cilën ka ende mosmarrëveshje. Nuk jam i sigurt nëse duhet quajtur dialog politik apo dialog teknik, apo nëse duhet mbajtur mes partive në kuvend apo në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, është një dialog që duhet të ndodhë urgjentisht. Pati disa shenja shpresëdhënëse këtë javë, si në seminarin e drejtuar nga Z. Fyle ashtu edhe në diskutimet mbi një Kod Sjelljeje për zgjedhjet vendore. Kjo është diçka e mirë por nuk mjafton dhe unë mendoj që populli shqiptar e bën dallimin midis një takimi që organizohet për të kënaqur Brukselin dhe Uashingtonin dhe një takimi ku do të flitej sinqerisht mbi çështjet dhe do bëhej përparim. OSBE ka të drejtë që është shumë vonë për të bërë ndryshime madhore në Kodin Zgjedhor. Por nuk është tepër vonë që partitë të bien dakord për rregulla të drejta fushate dhe procedurale kur këto janë jashtë Kodit Zgjedhor”, deklaroi Countryman.

Zoti Countryman pranoi se me kryeministrin Berisha, njësoj si komisioneri Fyle, ka diskutuar për respektimin e lirisë së medias, sidomos kur ato janë kritike ndaj qeverisë

“Liria e medias shkon krah për krah me përgjegjësinë e medias. Nuk duhet të ketë kurrfarë përpjekjeje nga asnjë qeveri, as për të shtypur e as për të kontrolluar median për të përfituar mbulim pozitiv. Në të njëjtën kohë, edhe media ka një përgjegjësi ndaj popullit shqiptar – të shmangë atë lloj retorike politike që rrit nxehtësinë, por nuk rrit transparencën”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan.

Në fund, duke bërë humor me Gazetën Shqiptare që me rastin e 1 prillit kishte në faqen e pasme një faqe të parë të gënjeshtërt, zoti Kantrimen tha se vizita e tij më 1 prill nuk kishte për qëllim të dërgonte asnjë sinjal të gabuar. Mesazhi ishte i vërtetë dhe askush nuk mund të thotë, “Amerika na gënjeu”.

Top Channel