
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci ka deklaruar se ftesa e PD për një marrëveshje për zgjedhjet ishte e pritshme, pasi atë e kishte rekomanduar i dërguari i BE, që së fundmi ka vizituar tre herë Shqipërinë.
Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Ruci ka bërë të ditur se PS e ka refuzuar deri tani marrëveshjen për shkak se nuk po merren parasysh kërkesat e saj.
Për këtë arsye, përfaqësuesi më i lartë i socialistëve në Parlamentin shqiptar, është shprehur skeptik për arritjen e standarteve në zgjedhjet lokale të 8 majit.
“A do arrihen zgjedhjet? Unë jam skeptik për arsye të mungesës së vullnetit politik. S’janë të paarritshme, por duhet vullnet politik. Mjafton vetëm një seancë parlamentare. Mendoj se nuk ka nevojë për ndonjë ndryshim, por mazhoranca ka artikuluar se ka pengesë në Kodin Zgjedhor për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Kodi aktual e zgjidh këtë, por KQZ nuk e zgjidhi”, ka deklaruar Ruci.
Ruci ka theksuar se KQZ duhet të zbatojë paragrafin e një neni, që sipas tij thote se, ‘nëse dy komisionerë duan të hapin kutitë, ato mund të hapen’.
Më tej ai ka riktheksuar edhe tre kushtet e PS për marrëveshjen, të cilat sipas tij pala demokratike nuk ka vullnet për t’i plotësuar.
“Pra, problemi i parë është transparenca e zgjedhjeve, për të cilën mungon vullneti politik. Në fund të procesit, kushdo duhet të shikojë se c’ka ndodhur me votën e votuesve të vetë. E dyta është që ne na mungon transparenca për listat e zgjedhësve. Ne kërkojmë akses për të parë dhe monitoruar se si, sa dhe kush i përgatit listat. Dhe problemi i tretë është karta e identitetit. Mjaft votues kanë votuar me karta falso në emër të emigrantëve që s’kanë ardhur për vite të tëra nga SHBA, Italia, Gjermania, etj”, ka sqaruar Ruci.
Shefi i grupit të socialistëve është shprehur se argumenti se, shumicën e qyteteve e ka PS s’është argument, sepse sipas tij, përpunimi i listave bëhet pranë Ministrisë së Brendshme.
Nga ana tjetër, ai ka theksuar se manipulimi me listat po bëhet nëpërmjet përfshirjes së punonjësve të administratës shtetërore, në shtëpitë e të cilëve sipas tij jetojnë me kontratë provizore 3 ose 4 familje.
Për të faktuar shqetësimet e tij, Ruci ka treguar edhe disa dokumenta që sipas tij janë gjetur nga deputeti Erjon Brace në bodrumet e KQZ-së dhe që tregojnë manipulimet e kryera në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Sipas këtij dokumenti, në një qendër zgjedhore të Shkodrës kanë votuar 85% të votuesve, kur në Shqipëri nuk votojnë mbi 55 për qind, ndërsa në një dokument tjetër në Paskuqan, sipas një procesverbali, ka pasur rreth 20 fletë votimi më shumë se numri i votuesve.
Më tej Ruci nuk ka kursyer as kritikat ndaj KQZ-së dhe kryetarit të saj, që sipas tij ka shkelur rregulloren duke miratuar vendime që kërkojnë edhe firmën e nëkryetarit.
“KQZ ka marrë vendime me një firmë, ndërkohë që duhen dy firma, e kryetarit dhe e nënkryetarit. Ne kërkojmë të anulohen këto vendime, të merren ato të duhurat, të hedhë firmën nënkryetarja, pasi Kodi Zgjedhor ka, nga niveli më i lartë që është KQZ deri tek niveli më i ulët që janë KZAZ-të, administrimin bipartizan. KQZ është i vetmi institucion pa një rregullore dhe funksionon sic do ai që e drejton”, ka shtuar Ruci.
Duke akuzuar mazhorancën për kthimin në një “mafie elektorale”, Ruci ka ritheksuar se tërheqja e PS nga zgjedhjet nuk ekziston si opsion.
Duke paralajmëruar edhe publikimin e fakteve të reja për manipulimet dhe dërgimin e tyre në prokurori, Ruci i ka drejtuar edhe një mesazh kryeministrit Berisha.
“I them kryeministrit dhe të dërguarit të tij në KQZ, të mos luajë me zjarrin, është shansi i fundit. Meqenëse është malësor po i them një fjalë të urtë malësorësh: ‘ruhu, mos u turpro në pleqëri’. Sepse s’ka kohë për ta korrigjuar më”, ka shtuar Ruci.
Top Channel