Kandidatët, PD-PS vijojnë akuzat

31/03/2011 20:55

PS dhe PD kanë vijuar edhe sot sulmet politike kundër kandidatëve rivalë për bashkinë e Tiranës.

PS, ashtu si dhe në ditët e kaluara, e ka vënë theksin tek cështjet e diskutuara ku kandidati demokrat Lulzim Basha ka qenë i përfshirë.

“Ky kandidat i Saliut është po i njëjti që i shpëtoi gjykimit të sistemit gjyqësor kur e mori të pandehur për rrugën Durrës-Kukës. Është po i njëjti që shiti detin kur ishte ministër i Jashtëm dhe është i njëjti që më 21 janar vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Ai është vetëm shërbëtori më i devotshëm i kryeministrit, që zbaton verbërisht urdhërat e tij”, ka deklaruar deputeti i PS, Saimir Tahiri.

Ndërsa PD, nga ana tjetër, ka përsëritur se këto akuza vijnë si pasojë e “raskapitjes politike” të Edi Ramës, që s’ka më se cfarë t’i ofrojë kryeqytetit.

“Sot, raskapitja politike e Edi Ramës provoi se ai e ka mendjen tek lufta politike dhe jo tek problemet e Tiranës. Lulzim Basha vepron ndryshe. Ai njeh Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Ashtu sic ndërtoi rrugën e kombit, do të ndërtojë edhe akset e reja të kryeqytetit”, ka deklaruar eksponentja e PD, Irida Tabaku.

Top Channel