Ashton: Garanci për zgjedhjet

31/03/2011 19:40

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së ka reaguar mbi takimin PD-PS, që sipas saj, mundi të realizohej pas tre vizitave të drejtorit menaxhues Miroslav Lajcak në Tiranë.

“Mungesa e një kontakti të tillë të drejtpërdrejtë politik ka qenë burim i shqetësimit të madh dhe mungesës së progresit në Shqipëri”, thuhet në komunikatën për shtyp të zonjës Ashton.

Më tej, ajo nënvizon rëndësinë e garantimit të zgjedhjeve të ndershme lokale, në mënyrë që të fitohet besimi i elektoratit, por dhe ai i BE-së, meqenëse këto zgjedhje përbëjnë provën e radhës.

“Bashkimi Europian ka nënvizuar, më shumë se një herë, rëndësinë e garantimit të zgjedhjeve lokale të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri, në përputhje me standartet vendase dhe ato ndërkombëtare. Mbajtja e këtyre zgjedhjeve është thelbësore për dëshminë konkrete të Shqipërisë në lidhje me aspiratat e saj drejt BE-së dhe është e domosdoshme në mënyrë që të sigurohet besimi i elektoratit”, thekson në qëndrimin e saj Catherine Ashton.

Shefja e diplomacisë evropiane vlerëson se, udhëheqësit politike janë përgjegjës për sjelljen e duhur në fushatë elekorale dhe gjatë zgjedhjeve.

“Në bazë të takimeve të këtyre dy ditëve, përfaqësuesja e lartë bën thirrje ndaj shumicës qeverisëse dhe opozitës që të vazhdojnë dhe të intensifikojnë më shumë dialogun mes tyre, si brenda dhe jashtë Parlamentit, me qëllim që të sigurojnë përgatitjet më të mira të mundshme për këto zgjedhje lokale dhe progresin e Shqipërisë që meritojnë qytetarët e tyre”, përfundon qëndrimi i Ashton mbi Shqipërinë.

Top Channel