Shkodra, 45 ditë pa krap liqeni

30/03/2011 12:00

Shkodranët nuk do të mund të shijojnë krapin e liqenit për 45 ditë me radhë, duke nisur që nga e premtja. Nga fillimi i prillit deri në mes të muajit maj do të ndalohet rreptësisht çdo lloj gjuetie peshku në Liqenin e Shkodrës, pasi është faza e shumimit të peshkut.

Urdhri i prerë është lëshuar nga prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, me vartësit e tij në takimin e zhvilluar dje në Prefekturën e Shkodrës.

Në këtë takim merrnin pjesë drejtues të policisë kufitare, të forcave “Renxhers” që mbrojnë liqenin nga gjuetia e paligjshme dhe përfaqësues të Policisë së Rendit.

Tashmë si çdo vit, gjatë muajit prill dhe gjysmës së parë të majit, nuk lejohet të kryhet asnjë lloj gjuetie e peshkut pasi është momenti kur ndodh shumimi dhe është rreptësisht e ndaluar të kryhet gjuetia.

Sipas prefektit të Shkodrës, Maxhid Cungu, masat duhet të jenë të rrepta, për të mbrojtur shumimin e peshkut.

“Duhet të monitorohet e gjithë sipërfaqja e Liqenit të Shkodrës dhe zona të tjera ujore”, ka thënë prefekti, duke shtuar se rezultatet e punës duhet të maten me fakte.

“Nëse do ketë persona që do dërgohen në prokurori për ndjekje penale, pasi rezultojnë se kanë kryer gjueti të paligjshme, atëherë e kemi kryer detyrën siç duhet. Në kohën kur është e ndaluar gjuetia, është e papranueshme që të tregtohet peshk liqeni në qytet”, tha prefekti.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i policisë kufitare, Thimo Remcko, është shprehur: “Nuk na mungon asgjë që të ruajmë po aq mirë sa e ruan Maqedonia apo vendet e tjera fqinje periudhën e shumimit të peshkut dhe për këtë është thelbësore bashkëpunimi me strukturave si polici kufitare, forcave që mbikëqyrin liqenin e Shkodrës që janë në vartësi nga Ministria e Mjedisit dhe pushtetit lokal”.

Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Ballkan, sipërfaqja e tij është 368 kilometra katrorë dhe në të janë evidentuar 20 specie bimore dhe 123 specie shtazore ujore të kërcënuara. Këtu përfshihen lloje të rralla speciesh, zhdukja e të cilave do të shkatërronte përfundimisht Liqenin e Shkodrës.

Pjesa e Liqenit të Shkodrës që ndodhet në Malin e Zi prej vitesh është shpallur park kombëtar dhe ruhet me fanatizëm nga shteti malazez. Sapo kalon kufirin në Mal të Zi, ndryshimi vihet re mjaft lehtë si për nga shumëllojshmëria e shpendëve, botës shtazore ujore dhe pastërtisë së ujit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA