SHBA, përkujtohet incidenti bërthamor

29/03/2011 16:00

Disa qindra njerëz u grumbulluan në Pensilvani, për të përkujtuar incidentin më të rëndë bërthamor të ndodhur në SHBA, 32 vjet më parë në centralin bërthamor të “Three Miles”.

Ngjarja ishtë lënë në harresë gjatë viteve të fundit, por ngjarjet që po ndodhin në Japoni kanë krijuar një nivel ndërgjegjësimi midis amerikanëve rreth rrezikshmërisë së përdorimit të energjisë bërthamore.

Midis familjarëve të dëmtuarve të “Three Milles” dhe qytetarëve të tjerë, incidentin e përkujtuan edhe disa organizata ekologjike, të cilat shprehen kundër varësisë së shtetit ndaj kësaj formë të rrezikshme të energjisë.

Në 28 mars 1979, si rrjedhojë e bashkimit të një problemi mekanik me një gabim njerëzor, bërthama e një reaktori u shkri pjesërisht, duke shkaktuar rritjen alarmuese të nivelit të rrezatimeve në impiant dhe përreth tij.

Ngjarja u kontrollua shpejt dhe nuk pati viktima të drejtëpërdrejta, ndonëse vite më vonë disa prej të prekurve nga rrezatimet humbën jetën si pasojë e kancerit.

Ngjarja e “Three Miles” është incidenti bërthamor më i rëndë i ndodhur ndonjëherë në SHBA, ndërsa u konsiderua si i nivelit të pestë për nga shkalla botërore e matjes së incidenteve, me një maksimum shtatë.

Çernobili ishte një incident i shkallës së shtatë, ndërsa Fukushima aktualisht është midis gjashtës dhe shtatës.

Top Channel