Patos, PS jashtë zgjedhjeve

29/03/2011 15:55

Partia Socialiste e Fierit nuk ka mundur të regjistrojë kandidatët e majtë në bashkitë Patos dhe Roskovec, por edhe në komunat Zharrës, Kuman, Krujan, Strumë, Ruzhdie dhe Portez.

Shkak është se KZAZ-të dje ishin të mbyllura, ndërsa ligji i jepte afat regjistrimit të kandidatëve deri në orën 24.00.

“Për të dorëzuar dokumentacionin për regjistrim, pa vajtur ora 12, por 12 pa 20, komisionerë nuk ka dhe godina është e mbyllur. Kjo për ne do të thotë se nuk zbatohen rregullat dhe ato norma që kërkon dhe Kodi Elektoral”, ka deklaruar Xhevit Bushi, kryetar i degës së PS në Fier.

Të majtët lajmëruan marrjen e nismave të tjera. Viktor Mesutaj, kryetari KZAZ-së 19, i kontaktuar me telefon tha se ata kanë pritur sipas urdhërit të KQZ deri në orën 24 së bashku me kandidatët socialistë, të cilët nuk kishin dokumentacionin përkatës.

I pyetur se cfarë do të ndodhë kur një koalicion nuk regjistrohet në zgjedhje, Mesutaj tha se kjo nuk ka ndodhur për fajin e tij.

Top Channel