Zgjedhjet, PD cakton sloganin

28/03/2011 13:40

Demokratët i kanë dhënë fund dilemave për përzgjedhjen e sloganit elektoral për zgjedhjet loakle të 8 majit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryeministri Sali Berisha bëri publik variantin që sipas tij ka marrë konsensusin më të gjerë dhe që shkon në të njëjtën linjë me prograin elektoral të Partisë Demokratike për këto zgjedhje.

“Slogani buron nga shpirti i vetë programit, të qytetarit, për qytetarin dhe me qytetarin. Ai do të jetë “Të parët jeni ju”, ose “Ju jeni të parët”, që është pothuajse përfundimtar”, deklaroi Berisha.

Ndërsa, kur himni i fushatës ende nuk është vendosur, kryeministri duke pohuar se këngët e preferuara të tij nuk janë përzgjedhur nga stafi elektoral, nuk ngurroi të shigjetonte me batuta kreun e socialistëve Edi Rama, që garon për herë të katërt për bashkinë e Tiranës.

“Ato janë këngët e ëndrrës dhe rinisë sime, por nuk do të jenë sepse njëri më tha, ‘po e vumë “Eye of the tiger” ikën nga frika kandidati’, cka s’është qëllimi ynë”, u shpreh Berisha.

Duke qendruar tek sfida për Tiranën, kryeministri Berisha premtoi mbështetje maksimale për realizimin e projekteve të shpallura nga kandidati i mazhorancës Lulzim Basha.

Top Channel