
Presidenti i Republikës Bamir Topi, i shoqëruar nga zonja e parë, Teuta Topi dhe një delegacioni zyrtar, ndodhet për një vizitë pune në Itali.
Sot presidenti vizitoi Universitetin e Bolonjës, ku u prit dhe zhvilloi një takim me rektorin Ivano Dionixhi.
Më pas kreu i shtetit mbajti një ligjëratë në auditorin “Aula Manja” të Fakultetit të Agronomisë të Universitetit të Bolonjës, në prani të dekanit të këtij fakulteti, rektorit, pedagogëve dhe mjaft studentëve.
Në fjalën e tij presidenti Topi u ndal në sfidat integruese të Shqipërisë, duke vënë në pah se Shqipëria, si nga pikëpamja gjeografike, edhe nga pikpamja politike apo kulturore, e sheh veten si pjesë të Europës.
“Brenda dy dekadash që pas rrëzimit të komunizmit, Shqipëria ka arritur të përmbushë standardet kryesore të funksionimit të demokracisë dhe të konkurrencës së lirë të tregut, tregues të konfirmuar me pranimin në NATO dhe partneritetin aktiv në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha presidenti.
Në vijim, zoti Topi zhvilloi një takim miqësor me studentët shqiptarë që studiojnë në auditorët e Universitetit të Bolonjës.
Top Channel