Pasaportat, nis aplikimi në Selanik

28/03/2011 16:55

Prej mëngjesit të së hënës ka filluar edhe në konsullatën e përgjithshme të Selanikut procesi për aplikimin e pasaportave dhe kartave të identitetit nga shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqinë e veriut.

Ajo që është për t’u theksuar është mënyra e re dhe moderne e mbylljes së takimit për aplikim nga ana e stafit të kesaj konsullate, për shmangien e radhëve të gjata.

“Mënyra e parë është me anë të një mesazhi elektronik SMS në numrin e telefonit 6980920137, ku aplikuesit i duhet të shkruajë emrin, mbiermin dhe numrin e pasaportës. Menjëherë do të marrë një përgjigje po me mesazh elektronik, ku do jetë dita dhe ora për aplikim. Në mesazh mund të shkruhen deri në 6 emra personash të së njëjtës familje”, deklaron Adelina Zhegu, këshilltare e konsullatës.

Mënyra e dytë është me anë të telefonimit në numrin 7007001103, cdo ditë nga ora 8 deri në 12, përvec së shtunës dhe së dielës.

Nënpunësja e konsullatës, pasi të marrë të dhënat përkatëse, i komunikon të interesuarit ditën dhe orën për aplikim.

Natyrisht, aplikimi do të bëhet pasi të interesuarit do të paraqesin mandatin e pagesës prej 108 eurosh për pasaportën, apo 10 euro për kartën e identitetit, që do të paguhen në cdo filial të Bankës Kombëtare të Greqisë.

“Gjithashtu, aplikuesit duhet të posedojnë edhe një dokument identifikimi si pasaportë, patentë, karte identiteti, certifikatë të vlefshme me fotografi, ndërsa për fëmijët nën 18 vjec njëri nga prindërit duhet të jetë prezent dhe të ketë një certifikatë familjare që të provojë atësinë e fëmijës”, sqaron Klarita Mërkuri, sekretare teknike e konsullatës.

Udhëzimet për aplikim janë të disponueshme edhe në sekretarinë telefonike të konsullatës, ndërsa për disa ditë do të jenë të publikuara edhe në web sajtin e saj.

Top Channel