Përbërës të rrezikshëm në bukë

28/03/2011 16:45

Buka është produkti që konsumohet më shumë, por askush nuk e di se c’përberës i futen brenda asaj.

Madje, deri më tani kontrolli për përbërësit e bukës as që është bërë ndonjëherë, duke lënë prodhuesit të abuzojnë si të mundin duke përdorur shtesa të ndryshme në brumin e saj, që kanë të bëjnë si me llojet e majave dhe konservantët.

“Mund të ketë shtesa që rrisin jetëgjatësinë, ngjyrën, gjëra që prodhuesi duhet t’i deklarojë që ne të shohim nëse këto produkte janë të lejuara ose jo. Cdo gjë që shtohet jashtë masave të caktuara është e dëmshme”, deklaron Ernest Gjuraj, drejtor i sigurisë ushqimore AKU.

Abuzimi më i madh bëhet me ngjyruesit dhe konservantët. Prodhuesit e bukës blejnë në Kosovë miell të bardhë të një cilësie të dobët dhe pasi e ngjyrosin pa llogaritur dozat që përdorin, e tregtojnë atë për bukë të zezë, në një kohë kur cmimi i miellit të grurit të zi është disa herë më i lartë.

Po kështu edhe konservantët, të cilet janë të dëmshëm për organizmin e njeriut, përdoren nga prodhuesit e bukës me qëllim që buka të mos myket shpejt.

Drejtues të AKU-t kanë nisur kontrollin e tregut për të gjithë përbërësit e bukës, por nga ana tjetër kërkojnë që ajo të tregtohet e shoqëruar me etiketë.

“Ne do këmbëngulim hap pas hapi dhe do kërkojmë që buka të bëhet me etiketë, bizneset të bëjnë kërkesë dhe të pranojnë etiketën për bukën apo produktet e tjera që vijnë nga furrat. Gjithashtu, do vazhdojmë me kontrollin e kushteve të higjenës ku prodhohet ajo”, nënvizon Gjuraj.

Përvec etiketës, specialistët kërkojnë që buka e freskët të mos tregtohet nëpër qese plastmasi, por në qese letre. AKU ka vetëm pak muaj që ka nisur aktivitetin e saj dhe drejtues të saj shprehen se kontrollet për bukën nuk janë përqendruar vetëm tek furrat e bukës, por në të gjithë zinxhirin e saj.

Top Channel